UDHËZUES PËR SIGURINË GJATË PËRDORIMIT TË INTERNETIT DHE
MBROJTJEN E TË DHËNAVE PERSONALE DHE PRIVATËSISË
SIGURIA GJATË PËRDORIMIT TË INTERNETIT
- Mbrojtja e pajisjeve dhe sistemeve informatike
Lexoni me kujdes politikat e privatësisë dhe kushtet e përdorimit të faqeve të internetit që vizitoni. Mbani të përditësuara sistemet operative, aplikacionet dhe shfletuesit e internetit, duke aktivizuar përditësimet automatike të sigurisë. Rekomandohet të mos ruhen në shfletues
kredencialet e hyrjes, fjalëkalimet apo të dhëna të tjera sensitive. Përdorni programe sigurie si firewall, antivirus, antispyware, antimalware dhe sisteme të tjera mbrojtëse të licencuara, të ofruara nga prodhues të njohur. Këto programe kontribuojnë në mbrojtjen e pajisjeve nga viruset, malware, ransomware dhe forma të tjera të sulmeve kibernetike.
Për rrjetet wireless shtëpiake rekomandohet përdorimi i standardeve moderne të enkriptimit, si WPA2 ose WPA3, si dhe konfigurimi i fjalëkalimeve të forta dhe unike. Instaloni rregullisht përditësimet e sistemit operativ dhe të aplikacioneve të përdorura, pasi ato përmbajnë korrigjime të dobësive të sigurisë dhe përmirësime funksionale. Përdoruesit këshillohen të aktivizojnë funksionet e mbrojtjes automatike të ofruara nga prodhuesit e sistemeve operative dhe pajisjeve. - Mbrojtja e të dhënave personale
Përpara se të vendosni të dhëna personale në internet, verifikoni nëse faqja përdor protokollin e sigurt HTTPS dhe nëse paraqet indikatorët e sigurisë së certifikatave dixhitale. Mos dërgoni asnjëherë të dhëna personale, numra llogarish, fjalëkalime apo informacione bankare në përgjigje të mesazheve elektronike të pakërkuara.
Publikoni sa më pak informacion personal që mund të identifikojë vendndodhjen, identitetin ose aktivitetet tuaja private. Kujdesuni që të mos publikoni materiale, dokumente, fotografi ose informacione që nuk dëshironi të bëhen publike ose të shpërndahen nga persona të tretë. - Kujdes gjatë publikimit të informacionit
Mendoni me kujdes përpara se të publikoni përmbajtje në internet ose në rrjetet sociale. Tregoni kujdes gjatë hapjes së bashkëngjitjeve, dokumenteve dhe lidhjeve (linkeve) të dërguara nga burime të panjohura ose të dyshimta. Mos ndani adresën tuaj elektronike dhe kredencialet e hyrjes me persona të panjohur.
Gjatë plotësimit të formularëve elektronikë rekomandohet të jepen vetëm të dhënat e domosdoshme për realizimin e shërbimit. Verifikoni gjithmonë identitetin e faqes së internetit dhe sigurohuni që ajo i përket subjektit që pretendon të përfaqësojë. Në platformat online dhe lojërat elektronike rekomandohet përdorimi i pseudonimeve dhe shmangia e publikimit të identitetit real. - Krijimi dhe administrimi i fjalëkalimeve
Përdorni fjalëkalime të forta, me të paktën tetë karaktere, të përbëra nga shkronja të mëdha dhe të vogla, numra dhe simbole speciale. Rekomandohet përdorimi i fjalëkalimeve të ndryshme për secilin shërbim elektronik. Ndryshoni periodikisht fjalëkalimet dhe mos i shpërndani ato
tek persona të tretë.
Kur është e mundur, aktivizoni autentifikimin me shumë faktorë (MFA ose 2FA), me qëllim rritjen e nivelit të mbrojtjes së llogarive tuaja elektronike. - Mbrojtja nga mashtrimet elektronike
Tregoni kujdes ndaj mesazheve elektronike që premtojnë fitime të menjëhershme, dhurata, trashëgimi financiare ose oferta të pazakonta. Kontrolloni me kujdes adresën e dërguesit dhe përmbajtjen e mesazhit. Mesazhet që përmbajnë gabime drejtshkrimore, kërkesa urgjente për pagesa apo kërkesa për informacion personal duhet të konsiderohen potencialisht të dyshimta.
Mos klikoni në lidhje të panjohura dhe mos shkarkoni dokumente ose programe nga burime të paverifikuara. Kujdesuni të verifikoni vërtetësinë e komunikimeve para se të ndërmerrni veprime financiare ose të ndani informacione personale. - Përdorimi i sigurt i rrjeteve sociale
Rrjetet sociale duhet të përdoren në mënyrë të përgjegjshme dhe duke respektuar rregullat e privatësisë. Rekomandohet të kontrollohen dhe të konfigurohen parametrat e privatësisë për të kufizuar aksesin në profilin personal vetëm për personat e autorizuar.
Përdoruesit duhet të jenë selektivë në pranimin e kërkesave për miqësi dhe të verifikojnë identitetin e personave me të cilët ndërveprojnë. Këshillohet të monitorohen periodikisht informacionet dhe publikimet që lidhen me profilin personal dhe të përdoren funksionet e raportimit dhe bllokimit për rastet e sjelljeve të papërshtatshme ose abuzive.
MBROJTJA E TË DHËNAVE PERSONALE DHE PRIVATËSISË GJATË PËRDORIMIT TË INTERNETIT
Mbrojtja e të dhënave personale dhe e privatësisë përbën një element thelbësor të ofrimit të shërbimeve të komunikimeve elektronike. Përpunimi i të dhënave personale kryhet në mënyrë të ligjshme, të drejtë, transparente dhe vetëm për qëllime të përcaktuara, në përputhje me
detyrimet kontraktuale, ligjore dhe rregullatore të operatorit.
Shoqëria përpunon të dhënat personale vetëm në masën e nevojshme për ofrimin e shërbimeve, administrimin e marrëdhënieve kontraktore, realizimin e proceseve të faturimit, trajtimin e ankesave dhe përmbushjen e detyrimeve të parashikuara nga legjislacioni në fuqi.
Përpunimi i të dhënave personale realizohet në përputhje me:
- Ligjin nr. 9887, datë 10.03.2008, “Për mbrojtjen e të dhënave personale”, i ndryshuar;
- Ligjin nr. 54/2024, “Për Komunikimet Elektronike në Republikën e Shqipërisë”;
- Aktet nënligjore dhe kuadrin rregullator të miratuar nga autoritetet kompetente.
E drejta e aksesit, korrigjimit dhe fshirjes së të dhënave
Pajtimtari ka të drejtë të kërkojë me shkrim dhe pa pagesë:
- konfirmimin nëse të dhënat e tij personale përpunohen ose jo;
- informacion mbi qëllimet e përpunimit, kategoritë e të dhënave dhe subjektet përfituese;
- informacion mbi burimin e të dhënave personale;
- informacion mbi proceset e automatizuara të vendimmarrjes, nëse këto aplikohen
Shoqëria do t’i përgjigjet kërkesës së pajtimtarit brenda 30 ditëve nga data e marrjes së saj, duke ofruar informacionin në një formë të kuptueshme dhe të aksesueshme.
Pajtimtari ka të drejtë të kërkojë korrigjimin, plotësimin, kufizimin e përpunimit, bllokimin ose fshirjen e të dhënave personale, në rast se konstaton se ato janë të pasakta, të paplota, të përpunuara në kundërshtim me legjislacionin ose nuk janë më të nevojshme për qëllimet për të cilat janë mbledhur.
Shoqëria do të shqyrtojë kërkesën dhe do të njoftojë pajtimtarin brenda afatit ligjor për masat e marra, arsyetimin e vendimit dhe, sipas rastit, realizimin ose mosrealizimin e korrigjimit, bllokimit apo fshirjes së të dhënave personale.